Ministri i Brendshëm i Turingisë, Georg Meier, ka akuzuar përfaqësuesit e Alternativës për Gjermaninë (AfD) në parlamentin e Turingisë për spiunazh për Rusinë, raportojnë mediat gjermane.
“Për njëfarë kohe, kemi parë me shqetësim në rritje se si AfD-ja abuzon me të drejtën e saj për t’i bërë pyetje parlamentare qeverisë me qëllim që të hetojë infrastrukturën tonë kyçe… kjo jep përshtypjen se AfD-ja po plotëson një listë që i është dhënë nga Kremlini me pyetjet e saj”, tha Maier (Unioni Kristian Demokrat CDU) në një intervistë me të përditshmen Handelsblatt.
“Ata tregojnë interes të veçantë në sektorin e mbrojtjes dhe zbulimin e dronëve”
Ministri i Brendshëm i Tyringisë beson se AfD po abuzon me të drejtën e saj si grup parlamentar për të pyetur qeverinë mbi çështje të ndjeshme që nuk bëhen publike, si në nivel provincial ashtu edhe në atë federal.
Meier deklaroi se vetëm në Turingi, grupi parlamentar i AfD-së në parlamentin provincial në dymbëdhjetë muajt e fundit bëri 47 pyetje shumë specifike në lidhje me gjendjen dhe pozicionet e objekteve të infrastrukturës në fushën e energjisë dhe furnizimit me ujë dhe rrjeteve dixhitale, si dhe mbrojtjes.
“AfD po tregon interes të veçantë për pajisjet policore, veçanërisht në sektorët e mbrojtjes dhe zbulimit të dronëve”, pohon Maier.
I ngarkuari me punë i grupit parlamentar të AfD-së në Bundestag, Bernd Baumann, i hodhi poshtë akuzat e Maier si “absurde”. “Ne i bëjmë këto hetime për të zbuluar mangësitë dhe në këtë mënyrë për të përfituar qytetarët”, tha Baumann.
AfD është popullore në mesin e gjermanëve rusë
Kryetari i komitetit të Bundestagut për kontrollin e shërbimeve sekrete, Marc Heinrichmann, tha se Rusia përdor ndikimin e saj të dukshëm në Bundestag, të cilin e ushtron përmes AfD-së, për spiunazh dhe mbledhjen e informacionit të klasifikuar.
Akuzat kundër AfD-së vijnë edhe nga radhët e partive të tjera parlamentare. “AfD po dëmton Gjermaninë, duke marrë me vetëdije rolin e ndërmjetësit për diktatorët në mbarë botën dhe duke sjellë axhendën e tyre në diskursin publik gjerman”, tha nënkryetari i komisionit parlamentar për kontrollin e shërbimeve sekrete, Konstantin von Notz (Të Gjelbrit).
Vizita e fundit në Rusi nga nënkryetari i AfD-së, Markus Frohnmeier, u quajt “tradhti e lartë” nga deputetët e CDU/CSU-së. Deputetët e AfD-së kanë udhëtuar për në Moskë për bisedime që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. AfD njihet për qëndrimin e saj miqësor ndaj Kremlinit dhe kritikat ndaj ndihmës për Ukrainën.
Partia, pjesë të së cilës klasifikohen nga Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues si “ekstremiste e krahut të djathtë e provuar”, është veçanërisht popullore në mesin e të ashtuquajturve gjermanë rusë, qytetarë gjermanë që emigruan në Gjermani si anëtarë të pakicës gjermane pas rënies së Bashkimit Sovjetik.