Disa nxënës të një shkolle në fshatin Vitomiricë të Pejës dyshohet se janë helmuar sot nga ushqimi gjatë orëve të paradites . Sipas Policisë, nxënësit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare të zonës dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, e ka konfirmuar rastin. Ai tha se drejtori i shkollës është intervistuar nga autoritetet.
“Sipas informacioneve të deritanishme që kemi, drejtoria e shkollës është njoftuar rreth orës 10 të mëngjesit se disa nxënës kanë pasur shqetësime shëndetësore. Disa prej tyre janë bartur me autoambulancë në QMF dhe kanë marrë tretman mjekësor, e më pas janë liruar. Me urdhër të prokurorit, drejtori i shkollës është ftuar për intervistim dhe ka dhënë deklaratën e tij,” tha Gashi..
Tutje ai bëri me dije se rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse.