Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të fundit në konferencën për media.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk mund ta kuptojë “madhështinë e LDK-së” dhe se “parimet e fjalën e dhënë nuk i njeh”.
“Jam i bindur se parimet nuk i kupton. Fjalën e dhënë edhe më pak,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai e ka akuzuar Kurtin për bllokim të shtetit dhe shkelje të Kushtetutës, duke thënë se sjellja e tij politike ka dëmtuar institucionet e vendit.
“Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lënë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka shtuar se Kurti “nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin dhe afrimin si akt patriotik”, duke e akuzuar për përçarje dhe izolim të vendit.
“Një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politikë, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas”, ka shtuar ai.
Në fund të reagimit, Abdixhiku thekson se LDK-ja do të vazhdojë rrugën e saj politike të pavarur, duke ruajtur dinjitetin dhe vlerat që e kanë karakterizuar këtë parti historikisht.
“LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni, por vetëm kaq keni mundësi. LDK po ecë drejt, në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet,” ka shkruar ai, duke përmbyllur me mesazhin: “LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”




