Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është miratuar Projektbuxheti për vitin 2026 me vlerë prej 4 miliardë eurosh, nga të cilat 1 miliard euro janë të dedikuara për investime kapitale.
Kryeministri në detyrë tha se ky buxhet përfshin një sërë risish që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit. Një nga risitë kryesore sipas tij është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar së paku 12 muaj gjatë vitit.
“Kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik me qeverinë tonë, në fund të vitit do të mund ta përfitojë pagën e 13-të”, tha Kurti.
Në këtë buxhet është përfshirë edhe rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga praktika e mëhershme kur për 15 vitet e para zbatohej rritje prej vetëm 0.25% për çdo vit përvojë. Kjo, sipas Kurtit, përkthehet në rritje të ndjeshme të pagës për çdo të punësuar në sektorin publik.
Kurti ka theksuar se projektbuxheti për vitin 2026 parasheh gjithashtu rritje të pensioneve, shtesave për fëmijë dhe lehona, si dhe pagesa shtesë për të rinjtë dhe gratë që angazhohen përmes platformës “Superpuna”. Ai përfshin gjithashtu përfundimin e reformës së asistencës sociale dhe rritje të mbështetjes për familjet dhe grupet në nevojë.
“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barnat esenciale, por njëkohësisht edhe për kulturën dhe sportin. Po ashtu, do të ketë rritje të ndihmës për ndërmarrësit, për sektorin privat dhe për bujqit, si dhe më shumë investime në infrastrukturë publike”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Kurti theksoi se përveç përmbajtjes zhvillimore, ky buxhet siguron vazhdimësinë dhe funksionimin e shtetit, edhe në periudha tranzicioni institucional. Ai sqaroi se, sipas nenit 31, paragrafit 5 të Ligjit për Qeverinë, edhe një qeveri që e ka përfunduar mandatin e plotë ka të drejtë të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit.
“Edhe pse jemi qeveri në detyrë, me këtë veprim po zbatojmë një detyrim ligjor dhe një përgjegjësi shtetërore që shteti të mos mbetet pa buxhet. Tani i takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike që ta miratojnë këtë buxhet përpara zgjedhjeve të reja”, theksoi ai.
Në të njëjtën mbledhje, Kurti bëri të ditur edhe disa vendime me ndikim të menjëhershëm ekonomik e social. Nga muaji nëntor, pensioni minimal do të rritet nga 120 në 150 euro, duke përfshirë rreth 200 mijë pensionistë në kategori të ndryshme, përfshirë ata me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare e invalidore të punës.
Lajm të mirë, Kurti e vlerësoi edhe rritjen e shtesave të fëmijëve, të cilat rriten për 50 përqind, duke nisur nga muaji nëntor. “Një nënë me dy fëmijë që deri tash ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro. Një nënë me katër fëmijë që ka marrë 120 euro, nga nëntori do të marrë 180 euro në muaj”, tha Kurti.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka propozuar edhe rritjen e pagës minimale, që pritet të ndikojë pozitivisht për rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat.
Në fund të mbledhjes, Qeveria miratoi edhe dërgimin në Kuvend të buxheteve komunale për vitin 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun, në mënyrë që këto komuna të mund të shfrytëzojnë buxhetin e ri dhe të mos vazhdojnë të operojnë me buxhetet e vitit 2024, çka u kishte shkaktuar vështirësi në realizimin e projekteve komunale.

 
         
         
         
         
        

 
        


