Një vit pas tragjedisë në të cilën më 1 nëntor 2024 në Novi Sad humbën jetën 16 qytetarë, Serbia ndodhet mes kujtimit dhe kërkesave gjithnjë e më të zëshme për ndryshime. Rënia e strehës në Stacionin Hekurudhor të sapo rinovuar, që mori jetët e gjashtëmbëdhjetë njerëzve, është shndërruar në simbol të pakënaqësisë së thellë shoqërore dhe të një zgjimi politik.
Në rrethojën përpara Stacionit Hekurudhor, ku para një viti u shemb streha e objektit të sapo rinovuar, digjen qirinj, qëndrojnë mesazhe dhe lule, kujtesë që viktimat nuk janë harruar dhe se çështja e përgjegjësisë mbetet e hapur.
Një ditë pas tubimit komemorativ në Novi Sad, me rastin e përvjetorit të tragjedisë në të cilën humbën jetën 16 qytetarë, studentët dhe qytetarët ende shprehin pikëllim dhe zemërim. Sipas tyre, komemoracioni nuk është fundi, por një fazë e re.
Organizatorët, lëvizja “Studentët në bllokadë”, e cila gjatë këtij viti është bërë një nga simbolet më të njohura të rezistencës qytetare, theksojnë se lufta për të vërtetën dhe përgjegjësinë nuk ndalon.
„Së pari duhet të ndryshojmë veten, pastaj shoqërinë dhe të tjerët. Mendoj se ne, të rinjtë, tashmë e kemi filluar. Kjo tragjedi ishte një shkëndijë, megjithëse kishte shumë padrejtësi edhe më parë. Duam të qëndrojmë në këtë vend, të punojmë dhe të jetojmë këtu, por mbi të gjitha duam drejtësi dhe siguri“, tha një student për RTK2.
Për shumë pjesëmarrës, tubimi komemorativ ishte edhe një formë proteste, një mënyrë për ta emërtuar publikisht padrejtësinë dhe për të kërkuar që përgjegjësit për tragjedinë të mbahen më në fund përgjegjës. Qytetarët thonë se tragjedia simbolizon shpërbërjen e sistemit, papërgjegjshmërinë e institucioneve dhe robërinë e shtetit.
“Kjo ishte vetëm një arsye, por vërtet na ka ardhur në majë të hundës. Vetëm me ndërrim pushteti dhe sistemi mund të bëhet diçka. Imagjinoni që Vuçiq apelon që institucionet të bëjnë punën e tyre, ai që i ka shkatërruar të gjitha. Tek ne asgjë nuk ndodh pa të, as edhe njëqind metra asfalt. Tani edhe këtë po na e shpjegon“, tha një qytetar i Novi Sadit.
Lëvizja “Studentët në bllokadë”, qytetarët dhe një pjesë e opozitës kërkojnë që të përcaktohet përgjegjësia për tragjedinë dhe, si zgjidhje politike, të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Përfaqësuesit e opozitës në Vojvodinë vlerësojnë se tragjedia në Novi Sad tregoi sa thellë është goditur shoqëria nga padrejtësia dhe korrupsioni, por edhe se ajo ka zgjuar potencialin për ndryshime politike.
Deputeti i Frontit të Gjelbër–të Majtë në Kuvendin e Krahinës Autonome të Vojvodinës, Milan Turanjanin, deklaroi për RTK2 se opozita do të vazhdojë presionin ndaj pushtetit dhe do të kërkojë ndryshime politike konkrete.
“Ka kaluar një vit nga krimi që ndodhi me shembjen e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Mbi njëqind mijë qytetarë dolën në protestë dhe treguan se populli ende ka forcë, se populli duhet të dëgjohet. Njerëzit nuk janë më spektatorë të heshtur. Ne vazhdojmë me presionin ndaj pushtetit, me protesta dhe kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ne si opozitë, si qytetarë, duhet të përpiqemi ta detyrojmë pushtetin. Situata është e padurueshme, si shtet dhe si popull po fundosim gjithnjë e më thellë. Duhet që më në fund të zgjidhet kjo gjendje, dhe e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme“, tha Turanjanin.
Prej një viti, protestat dhe tubimet në mbarë Serbinë dëshmojnë për këmbënguljen e qytetarëve që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi. Për të mbledhurit në Novi Sad, një vit më pas ky ishte ditë zie dhe respekti, por edhe mesazh që lufta nuk mbaron.
Studentët thonë se do të qëndrojnë të palëkundur, dhe shumë besojnë se këmbëngulja e tyre shënon fillimin e ndryshimeve politike në Serbi.




