Koordinatori për Krime Kibernetike në Prokurorinë Speciale, prokurori special Halim Borovci, ka pritur të martën në një takim pune ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Alban Sutaj.
Siç bëhet e ditur, temë diskutimi ka qenë trajtimi dhe menaxhimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me theks të veçantë në administrimin e aseteve digjitale.
“Gjithashtu, u vlerësua se është thelbësore adresimi i mungesave ligjore dhe teknike që lidhen me menaxhimin e aseteve digjitale, me qëllim të rritjes së efikasitetit institucional”, thuhet në njoftim.
Të dy, Borovci e Sutaj thuhet të kenë theksuar nevojën për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e menaxhimit të këtyre pasurive, sidomos atyre digjitale, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për angazhim të përbashkët.




