“Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorët publikë dhe ka premtuar pagën e 13-të, është normale dhe e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të bëjë hapa konkretë për rritje të pagave të minatorëve”, thuhet në kërkesën e tyre publike.

Tutje, kjo sindikatë thotë se minatorët, prej shumë vitesh kanë punuar me durim dhe solidaritet për ndërmarrjen, duke shpresuar që gjendja të përmirësohet. “Dhe kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur lëvizje dhe përmirësime”, thuhet tutje aty.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, gjatë vitit të fundit, puna e tyre ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit.

“Ky sukses nuk do të kishte ndodhur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna dhe sakrifica jonë të vlerësohen dhe të shpërblehen me rritje pagash, po ashtu siç po ndodh në sektorët e tjerë publikë dhe privatë. Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë”, thuhet tutje në kërkesën e kësaj sindikatë të minatorëve të Trepçës.

“Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë”, përfundon kërkesa e minatorëve.