“Në raport theksohet se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave. Siç kemi denoncuar gjatë mandatit tonë, po dëshmohet se këto praktika përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative”, shkroi ai.

Sipas Bislimit, pasivizimin e adresave, është mirë që më në fund BE-ja ka pranuar ta bëjë pjesë të raportit zyrtar të KE-së.

“Ky pasivizim i cili është duke u bërë për vite me radhë, është shumë e rëndësishme që më në fund BE ka pranuar që ta reflektojë dhe bëjë pjesë të vlerësimeve përfundimtare të raportit zyrtar të Komisionit Evropian, duke vendosur theks në kontrollimin e procedurave të pasivizimit”, ka vijuar tutje Bislimi.

Sipas numrit dy të qeverisë në detyrë, plani i veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione nuk ka sjellë rezultate, ndërsa qasja në administratë publike, polici, arsim dhe punësim vazhdon të jetë e kufizuar e në raste edhe mungon plotësisht.

“Në raport konstatohet edhe se raportimi në televizione publike në gjuhët amtare të minoriteteve është i pamjaftueshëm, ndërsa retorika urryese ndaj minoriteteve në Serbi nga politikanët dhe në media ka vazhduar”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ngrejë këto çështje në çdo nivel ndërkombëtar, derisa barazia, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi të garantohen plotësisht.