Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli Complex” ka dalë me një reagim pas vendimit të menaxhmentit për largimin e mbi 500 punëtorëve nga kjo kompani.
Kryesia e Sindikatës së Ferronikelit, në një konferencë për media, ka dhënë detaje për situatën e krijuar.
Kryetari i Sindikatës, Sejdi Moria, ka thënë se janë dy nga arsyet kryesore që kanë çuar në këtë gjendje, duke u nisur nga çmimi i energjisë elektrike dhe ai i niklit në tregun ndërkombëtar.
“Numri i punëtorëve me kontrata 1-vjeçare është 196. Në opinion është dal vetëm vendimi që e përmban numrin e punëtorëve me kontrata të përhershme, është 358 plus 196 dhe 17 punëtorë që janë larguar para tre muajve, do të thotë numri total është 571 punëtor,” ka thënë Sejdi Moria, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve “NewCo Ferronikeli Complex”.
Ai ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria, por nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje. Sipas tij, rreth 300 punëtorë me kontrata të përhershme do të marrin paga deri në shkurt të vitit 2026, ndërsa ata që nuk kanë kontrata të përhershme pagën e fundit do ta marrin në muajin dhjetor.
“Jemi të angazhuar me një kompani avokatësh, mundësia e parë që ata bëjnë shkelje të procedurave që e parasheh ligji i punës. Betejën ligjore nuk e ndalim…,” ka shtuar Morina.
Morina po ashtu ka thënë se për dy vite me radhë, një pjesë e punëtorëve kanë marrë vetëm 75 përqind të pagës, e disa të tjerë vetëm 30 për qind.
E menaxhmenti i “NewCo Ferronikeli Complex”, përmes një komunikate, ka treguar arsyet pse ka ardhur deri te ky vendim. Në komunikatë thuhet se për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet, kompania do të zbatojë një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të siguruar stabilitet financiar dhe operativ në plan afatgjatë.
Ndërkohë, në emër të Komunës së Drenasit ka reaguar kryetari Ramiz Lladrovci, i cili ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar dhe solidaritet të plotë me të gjithë punëtorët e prekur nga ky vendim.
Ai ka uruar që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i prodhimit dhe ripunësimi i punëtorëve të larguar.




