Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, së bashku me partnerët e koalicionit për balotazhin e së dielës, përmbyllën fushatën zgjedhore në Prizren me mesazhe për vazhdimësi dhe zhvillim të qytetit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u kërkoi atyre mbështetjen për kandidatin e këtij subjekti politik, Shaqir Totaj. Ai tha se për të punuar akoma më shumë për Prizrenin me qetësi e dinjitet, Totajt i duhet përkrahja e votuesve.
“Nën udhëheqjen e tij, Prizreni ka ecur përpara, është bërë më i pastër, më i rregullt, më turistik e më i jetueshëm për të gjithë. Dhe rruga përpara është edhe më e mirë, me Shaqir Totajn në krye. Më 9 nëntor, voto për vazhdimësi, për dinjitet, për Prizrenin që fiton!”, tha Krasniqi.
Nga ana e tij, Totaj shprehu besimin në koalicionin e arritur ditëve të fundit për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Ai tha se këto koalicione do t’ia rrisin vlerën dhe do të qeverisin me resurse, kapacitete dhe ide të reja në Prizrenin multietnik.
PDK-së në Prizren, për zgjedhjet e balotazhit, përveç LDK-së, i është bashkangjitur edhe Nisma Socialdemokrate dhe disa parti të tjera të komuniteteve pakicë.
Kandidati i PDK-së në Prizren për kryetar të komunës ka për kundërkandidat atë të LVV-së.



