Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj zërave për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke i quajtur ato “tendenca të kota”.
Në një postim në Facebook, Lladrovci tha se është i përkushtuar ndaj vlerave të kombit dhe qytetarëve të tij, duke theksuar se politika për të nuk është “bukë e mykur” dhe se ka vepruar me nder që nga rinia e hershme.
Postimi i plotë:
Tendenca për të më larguar nga PDK është e kotë
Mendim kam pasur edhe kur ishte i ndaluar, veprim kam pasur edhe kur ishte i ndëshkueshëm, aksion kam ndërmarrë edhe kur mund të më kushtonte me jetë, prandaj i kam thënë vetes, ndjek rrugën e nderit, pavarësisht çmimit.
Çdo angazhim e kam të lidhur me vlerat që ia sjelli qytetarëve të mi dhe kombit tim. Këtë e kam dëshmuar para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare. Sot, ndjehem mirë por jo i vetëkënaqur. Për më shumë energji ka nevojë vendi dhe PDK, ashtu si të gjitha forcat politike për një Kosovë më të mirë.
Vendi ka nevojë për më shumë mirëkuptim, unitet, tolerancë e nderim për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, më shumë nderim për veten dhe mundimet e mëdha për të arritur deri këtu, bashkë me aleatët.
Sot, para matjes finale në zgjedhjet lokale, mendoj se analistët e paguar për të më nxjerr jashtë PDK-së, e kanë të kotë. Tendenca për të më njollosur nga disa anë, është e padobishme dhe boja e zezë që ata persona bartin kundër meje, do të mbetet pronë e tyre.
Kandidatëve të PDK-së, miqve të mi, me zemër e shpirt ju dëshiroj e uroj fitore, Shaqës, Arianit, Sokolit, Feritit, Sabedinit dhe Shabanit. E di se ky deklarim disave nuk ju mjafton, as nuk ju pëlqen, por, ky jam unë. Tjerat janë manipulim për llogari të keqbërësve.
Prandaj, fitorja e kandidatëve të PDK-së, do të jetë fitore për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, do të jetë fitore për themeluesit dhe ndërtuesit e shtetit, të subjektit politik i cili nuk guxon të ndalet. Po u ndal PDK, ndalet Kosova.
Gatishmëria ime është e madhe për betejat pas të dielës, për të vërtetën, fuqizimin para sfidave që na presin, mundësive të rigjetjes së energjive për t’i pri me dinjitet ideve për shtetin e Kosovës me vlera euro-atlantike.
Në rrethanat të cilat krijohen jashtë mundësive të mia, Kosova është e para, andaj, veprimet e kushtëzuara të lidhura me shkaqet aktuale të organizimit dhe hierarkisë politike, ngrehin çështje më të mëdha se fati im politik.
Misioni i disa keqbërësve për të më anatemuar dhe për të më nxjerrë nga subjekti politik të cilit ia dhashë më të mirën nga vetja, bashkë me qytetarët e Drenasit dhe bashkëpunëtorët, do të dështojë, ashtu siç dështuan manovrimet e pa kurrizorëve më 12 tetor.
Kontributin tim jetësor në rrugën e përbashkët me bijat e bijtë më të mirë të kombit, nuk mund ta zbeh askush, as mercenarët, as profiterët e rastit. Këtë rrugë e kam detyrim, për të shkuarën dhe të tashmen, për një të ardhme më të mirë për shtetin dhe kombin.



