Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporëska reaguar lidhur me vjedhjen e targave të veturave të kosovarëve në Lubjanë, gjatë së shtunës kur u zhvillua ndeshja Kosovë–Slloveni.
Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë, thuhet se Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni ka njoftuar se, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre.
“Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, më herët gjatë ditës ka njoftuar edhe Ambasada e Kosovës në Slloveni.
Në njoftimin e saj bëhet thirrje që të gjithë shtetasit e Kosovës, të cilëve u janë hequr targat e veturave, të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin e tyre në vend. Fillimisht u është kërkuar që rastet t’i paraqesin në Policinë e Sllovenisë.
Të shtunën, gjatë zhvillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Sllovenisë, është raportuar se disa prej atyre që udhëtuan me vetura u janë marrë targat.




