Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se gjatë mandatit të tij qeverisës, prioritet ka qenë përmirësimi i jetës së komuniteteve joshumicë dhe forcimi i politikave që lehtësojnë qasjen e tyre në institucionet publike.

 

Këto komente ai i bëri në tryezën “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”, e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me mbështetjen e OSBE-së.

Para përfaqësuesve institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë, kryeministri Kurti kujtoi se gjatë mandatit janë zhvilluar nëntë takime me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, duke e cilësuar këtë tryezë si një moment përmbledhës për të vlerësuar arritjet dhe sfidat, si dhe për të reflektuar mbi bashkëpunimin me komunitetet joshumicë.

Kryeministri Kurti vlerësoi punën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të udhëhequr nga Nenad Rashiq, duke theksuar se janë ndarë grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe organizata joqeveritare në vlerë prej 1.4 milionë eurosh.

Gjatë mandatit, janë financuar mbi 400 projekte në fushat e edukimit, kulturës, sportit dhe shëndetësisë.

Në kuadër të përpjekjeve për të mundësuar kthim të qëndrueshëm dhe integrim, Kurti njoftoi se janë ndërtuar ose rinovuar mbi 170 shtëpi për komunitetet joshumicë, si dhe janë ndërtuar 34 apartamente për familjet që më parë jetonin në qendra kolektive.

Ai përmendi gjithashtu realizimin e 14 projekteve infrastrukturore në bashkëpunim me komunat, rritjen e subvencioneve për pajisje efikase dhe nxitjen e punësimit përmes programeve të reja, përfshirë masat e punësimit për deri në 2,000 banorë të komunave veriore.

Në projektin “Komunat për të rinjtë” janë mbështetur 3,000 të rinj nga komunitetet joshumicë, ndërsa në komunat veriore janë regjistruar 819 biznese të reja. Po ashtu, janë investuar 3.9 milionë euro në infrastrukturë rrugore në vendbanimet e komuniteteve joshumicë në disa komuna të vendit.

“Komunitetet janë pjesë e shoqërisë sonë, dhe duhet të bëjmë maksimumin që secili të ndihet i integruar dhe në gjendje të japë kontributin e vet në zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët,” tha Kurti, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë të mbetet mbështetëse për të gjitha komunat dhe komunitetet.

Tryeza e rrumbullakët mblodhi përfaqësues nga niveli lokal, qendror dhe ndërkombëtar, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e ideve për përmirësimin e funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim.