Krasniqi, i cili qëndroi 4 vjet e 4 muaj në krye të PDK-së, falënderoi delegatët për besimin e dhënë në një periudhë që e përshkroi si ndër më sfidueset në historinë e partisë.

“Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend… Sot largohem nga detyra me mirënjohje, me krenari, me paqe”, u shpreh ai, njofton zyra për informim e PDK-së.

Duke argumentuar arsyet e largimit, Krasniqi tha se PDK ka nevojë për “energji të re” dhe për një kryetar që njëkohësisht do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri. Nuk po largohem prej lodhjes apo zhgënjimit. Po e bëj këtë nga përgjegjësia… sepse besoj që shtëpia jonë është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja”, tha ai, duke shtuar se partinë po e lë “më të fortë se sa e kishte gjetur”.

Krasniqi përmendi me krenari arritjet gjatë mandatit të tij, duke theksuar ringritjen e PDK-së në skenën politike me fitore në disa komuna kyçe, me rritjen e besimit të qytetarëve dhe rikthimin në rolin e forcës kryesore opozitare.

“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq… Por së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, tha ai.

Në fund, ai kujtoi edhe rrugëtimin e tij prej më shumë se 20 vitesh brenda PDK-së, duke nënvizuar se ishte “nder historik” të ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe të udhëhiqte partinë e “krenarisë kombëtare”, siç e quajti ai, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Konventa e 12-të e PDK-së po vazhdon me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë.