Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në konferencën ndër-rajonale “30 vjet pas Pekinit – Rruga përpara”, tha se shënimi i 20 vjetorit të Agjencisë për Barazi Gjinore, po bëhet në një vit simbolik, 30 vjet nga platforma e Pekinit dhe 25 vjet nga miratimi i Rezolutës 1325 për gratë, paqen e sigurinë. Sipas tij, këto të dyja janë gurthemele për botë më të drejt, më të sigurt dhe më të barabartë për gratë e vajzat.
“Sot këtu në Prishtinë teksa shënojmë këta përvjetorë, riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleate e palëkundur e të drejtave të grave dhe të barazisë gjinore”, tha kreu në detyrë i qeverisë.
Sipas tij, edhe pse shumë më e re si Republikë, Kosova i ka përkthyer angazhimet e platformës së Pekinit në politika konkrete.
“Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave, sepse varfëria nuk është neutrale në aspekt t ligjor. Prandaj si qeveri kemi ndërmarrë masa që thyejnë këtë cikël. Mbi 12 mijë gra të punësuara drejtpërdrejt përmes programeve tona të punësimit, në platformën ‘Super Puna’ nga afër 20 mijë të rinj, 51 për qind janë gra e vajza, ndërkohë që po punojmë edhe për platformën e dedikuar ‘Super Puna për Gratë’, ku gratë që punësohen në sektorin privat e marrin për 6 muaj si bonus pagën minimale e cila nga 1 janari është 425 euro e nga 1 korriku i vitit të ardhshëm bëhet 500 euro”, tha ai
Kurti tha se për të ecur përpara me sukses është thelbësore që standardet e barazisë gjinore të zbatohen edhe në sektorin privat.
“Që barazia të jetë praktikë në çdo vend pune, për çdo vajzë e grua, çdo institucion, secila ndërmarrje e çdo komunitet duhet të jetë aleat për barazinë gjinore, për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet e vlerësohet”, deklaroi ai.




