Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e komunës pas reshjeve të pandërprera që kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona.
“Reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Kam marrë vendimin që të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha Aliu.
Komuna e Shtimes, njofton se Shtabi Emergjent do të mblidhet sërish gjatë ditës së nesërme, ndërsa tashmë ndodhet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
“Drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht që nga mëngjesi për të mbajtur situatën nën kontroll. Në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet komunale me makineri të specializuar po ndërhyjnë për trajtimin e dëmeve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Komuna u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e situatës.



