Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, tha se raporti i sivjetmë analizon edhe raste të kërcënimeve apo frikësimeve të drejtuara ndaj profesionistëve të sistemit të drejtësisë. Bazuar në monitorimin sistemik, EULEX arrin në përfundimin se, që nga publikimi i Raportit të Monitorimit të Drejtësisë 2024, ndryshimet përmbajtësore mbeten të kufizuara, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme institucionale.
Ky progres i kufizuar vërehet sidomos në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, përqindjen e seancave produktive, aplikimin ende jokonsistent të dënimeve plotësuese.
Sa i përket monitorimit të aspektit politik, EULEX vëren se kërkohen përpjekje më të mëdha për të siguruar zbatim të saktë, të qëndrueshëm dhe të drejtë të kornizës juridike në fusha të ndryshme të drejtësisë penale, nga krimet e luftës deri te dhuna në baza gjinore.
“Ky raport shërben si një testament shtesë i dedikimit të misionit tonë për mbështetjen e Kosovës, institucioneve të saj dhe qytetarëve të saj”, tha Barbano. Ai shprehu gjithashtu vlerësim për institucionet e Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi dhe transparenca e tyre kanë mundësuar hartimin e këtij raporti.
Ismail Dibrani, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, theksoi se gjatë viteve të fundit Ministria e Drejtësisë ka punuar me përkushtim për përmirësimin e sistemit. Ai shtoi se, megjithëse raporti është përgatitur nga një partner i jashtëm, ai përbën një mjet të rëndësishëm për orientimin e reformave të mëtejshme.
Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që në muajt dhe vitet në vijim të çojë përpara reforma të thella strukturore, me tri prioritete qendrore, ndër to edhe sigurimin e një shërbimi më efikas.
Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, sqaroi se raporti përfshin rreth 400 raste të monitoruara, të plotësuara me analiza të detajuara dhe të hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, Policinë, gjyqësorin, avokatët dhe shoqërinë civile.
Ai theksoi se qëllimi i raportit është konstruktiv. “Ky raport nuk duhet parë si kritikë, por si një dokument që vlerëson progresin e arritur dhe njëkohësisht identifikon fushat ku nevojiten ende angazhime shtesë”.




