Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Çitaku, në një konferencë për media tha dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“Ju dhe ne jemi dëshmitarë që për dhjetë muaj Kosova është mbajtur peng, prej dhjetë muajsh vendi është zhytur në bllokim institucional, prej dhjetë muajsh qytetarët tanë po presin qeveri të re, parlament funksional, komisione pune e shtet normal, fatkeqësisht pas dhjetë muajsh nuk e kemi asnjërën dhe rrjedhimisht Republika e Kosovës e ka humbur tërësisht vitin 2025. Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë pasur këtë luks, përkundrazi, ne kemi pasur nevojë për një vit dinamik, produktiv si asnjëherë më parë”, deklaroi Çitaku, teksa shtoi se këtë bllokim e ka bërë partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.
Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit që ka zgjedhur ta përdorë fitoren jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve.
“E përsëris: kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik. Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku.




