Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë, duke e cilësuar vendimin si një akt reflektimi, përgjegjësie politike dhe hapje rrugë për energji të reja brenda subjektit.
Tahiri tha se dorëheqja nuk vjen as nga lodhja dhe as nga zhgënjimi, por nga dashuria për qytetin e Vushtrrisë dhe respekti për anëtarët e LDK-së. “Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja, për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri,” u shpreh ai.
Në njoftimin e tij, Tahiri rikujtoi rrugëtimin politik që nga viti 2009 kur u zgjodh në krye të rinisë së LDK-së në Vushtrri e më pas në nivel qendror. Ai theksoi se periudha 2017–2021, kur drejtoi Komunën e Vushtrrisë, ka qenë një ndër nderet më të mëdha të jetës së tij politike.
Tahiri publikoi edhe rezultatet elektorale të LDK-së në Vushtrri gjatë viteve të fundit, duke nënvizuar rritjet dhe sfidat, përfshirë edhe zgjedhjet e vitit 2017 kur ai u bë i vetmi kandidat i LDK-së në rajonin e Mitrovicës që fitoi zgjedhjet lokale në 20 vjet.
Ai shtoi se dorëheqja nuk nënkupton largim nga politika apo nga LDK-ja. Tahiri do të vazhdojë angazhimin e tij në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të partisë. “Vendimi për dorëheqje është një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim,” tha ai.
Tahiri falënderoi qytetarët e Vushtrrisë, anëtarët dhe aktivistët e LDK-së për mbështetjen e shumëvjeçare, duke e cilësuar LDK-në “vlerë, amanet dhe rrugëtim të jetës”.
Në fund, ai theksoi se beson në të ardhmen e Vushtrrisë dhe në forcimin e mëtejshëm të LDK-së.




