Sipas IKD-së, vendimi është marrë nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) “në mungesë të kuorumit për vendimmarrje”, duke synuar ruajtjen e strukturës korporatiste brenda këtij institucioni.

“Vendimi për shkarkimin e z. Kelmendi është përpjekje për të ruajtur përbërjen korporatiste dhe kontrollin e sistemit prokurorial nga grupi i stërvjetëruar i interesit brenda sistemit prokurorial”, thekson IKD në reagimin e saj.

Sipas institutit, gjatë mbledhjes së KPK-së, anëtarja Jehona Grantolli propozoi shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit, por pesë anëtarë të tjerë lëshuan mbledhjen, duke lënë KPK-në pa kuorum. Megjithatë, pas mbylljes së mbledhjes, pesë anëtarët e mbetur u rikthyen dhe nxorën vendimin për shkarkim, pavarësisht pamundësisë ligjore.

“Kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj”, thekson IKD.

Instituti kujton se, sipas ligjit aktual, kuorumi minimal për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, dhe pjesa e anëtarëve që mori vendimin nuk e plotëson këtë numër. IKD thekson gjithashtu se disa nga anëtarët që morën pjesë në vendimin abuziv përfundojnë mandatin e tyre në janar 2026, duke e konsideruar këtë situatë si tentativë për të ruajtur përbërjen korporatiste të KPK-së, e cila ka qeverisur mbi një dekadë.

Reagimi i IKD-së vjen gjithashtu pas paralajmërimeve nga Zyra e Bashkimit Evropian, e cila ka theksuar se: “Nëse situata si kjo e sotmja ndodhin, Bashkimi Evropian do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi”, thuhet në letrën e Ambasadorit Aivo Orav, dërguar më 28 maj 2025.

IKD kërkon që KPK të veprojë në përputhje me ligjin dhe të mos pengojë zbatimin e reformës në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ruajtjes së besueshmërisë së institucionit.

“Është e qartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit”, përfundon IKD.