Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar sot me kryetarin e sapozgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re.
Përmes një njoftimi, ambasadori britanik ka bërë të ditur se i ka dëshiruar Hamzës sukses në ushtrimin e rolit të tij, të cilin e cilësoi si “të rëndësishëm për avancimin e zhvillimit demokratik të vendit”.
Gjatë takimit, të dy biseduan edhe për funksionimin efektiv të institucioneve të Kosovës, si dhe për nevojën që subjektet politike të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive, në përputhje me frymën kushtetuese, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Sot u takova me kryetarin e sapozgjedhur të PDK-së, Bedri Hamza. E përgëzova për detyrën e re dhe i urova sukses në rolin e tij të rëndësishëm në avancimin e zhvillimit demokratik të Kosovës. Diskutuam gjithashtu për rëndësinë që institucionet e Kosovës të funksionojnë në mënyrë efektive dhe për nevojën që aktorët politikë të angazhohen në mënyrë konstruktive me njëri-tjetrin në frymën e Kushtetutës, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai në Facebook.




