Gjithçka nisi kur Sami Kurteshi i LVV-së tha se tha se ai voton kundër të gjitha certifikimeve për komunat me shumicë Serbe, duke treguar arsyet pse.

“Meqë ne kemi bërë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese për dyshimet sa i përket Listës Serbe, presioneve ndikimeve dhe kërcënimeve që kanë qenë, sidomos tek Kllokoti ku është detyruar kandidati dy-tri ditë para raundit të dytë të tërhiqet, pasi i kanë dhënë një pozicion nga Qeveria e Serbisë si kryetar i komunës paralele, deri këtu kanë shkuar, unë votoj kundër të gjitha certifikimeve për komunat ku Lista Serbe është me shumicë të votave, këtë dallim mund ta bëjmë, për tjerat jam për por për Listën Serbe jam kundër dhe votoj kundër”, tha .

Anëtari nga PDK-ja, Ilir Gashi tha se VV-ja me këtë po bënë fushatë.

“Kjo përpjekja tash pasi keni hy në fushatë të mundoheni të paraqisni kush po voton andej e kush këndej, sepse e kemi cerifikuar raundin e parë me të gjithë anëtarët këtu, përjashtuar një anëtar që nuk ka qenë këtu”, reagoi Gashi.

Krasniqi replikoi ndaj Gashit, tha se qëndrimi i tyre është publik në raport me Listën Serbe.

“Edhe njëherë po e them është organizatë terroriste, por unë nuk mund t’i dalë kundër Gjykatës Supreme e PZAP-së kur ajo në mënyrë kriminale e vjen e ta bënë pjesë të garës këtu”, tha Krasniqi.

Kur reagoi anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Krasniqi i tha se kudo që ata kanë ndikim i shkelin qytetarët serb.

“Sepse ju ua ndalni  ia kushtëzoni pensionin që e marrin prej Serbisë, ia kushtëzoni çdo formë page që ata e gëzojnë prej Serbisë në Kosovë dhe ky është presioni që ju në vazhdimësi e bëni me ta. Dhe kjo është arsyeja që e keni blerë edhe atë të Kllokotit, i bleni edhe të tjerët, dhe do të vazhdoni derisa gjykatat iu lejojnë funksionimin tuaj në këtë mënyrë, unë uroj që kjo shpejt të marrë fund. Nëse ju mendoni të normalizoni një kriminalitet që ju e bëni në vazhdimësi, nëse ju mendoni që me e normalizuar sulmin në Banjskë dhe me u munduar thjesht me ndërruar lëkurë, thjesht kjo nuk shitet, dhe derisa kështu jeni, kështu do të jetë edhe debati çdo herë”, tha Krasniqi.

Anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Gordana Laban  me tone të larta iu ka reaguar Krasniqit.

“Unë jam Gordana Laban, jam anëtare e KQZ-së dhe askush këtu nuk mund të më barazojë me Listën Serbe. Këtu kam ardhur me propozimin e Listës Serbe, që është e vërtetë. Unë nuk jam anëtare e Listës Serbe. Askujt nuk i kam bërë presion dhe as kam ndikuar. Nuk kam votuar për vendimin e këshillave zgjedhore. Ju keni votuar për to. Ti je njeri i pakulturuar, që nuk di të respektosh dikë duke folur. Unë nuk jam, as kriminele, as terroriste. Jo, jo nuk kam përfunduar. Nëse ai më cilëson si kriminele e terroriste, unë përfaqësoj gjithë popullin serb të Kosovës, edhe pse Lista Serbe më ka propozuar për këtu. Nuk mund të më ndalosh atë që dua të them. Ti je anëtar, unë jam anëtar. Unë jam këtu me propozimin e Listës Serbe, por mbroj të drejtat e popullit serb këtu, ndërsa ai (Alban Krasniqi, v.j) dhe partia e tij dëmton popullin serb”, tha Laban.

Derisa Laban fliste, Krasniqi i tha: “Kulturën prej terroristeje dhe kriminele çfarë je dhe përfaqëson, ty duhet të vijë marre kur ta përmend kulturën, sepse e përfaqëson një subjekt që ka vrarë njerëz. Nëse je përfaqësuese e Listës Serbe je përfaqësuese e Listës Serbe atëherë je përfaqësuese e një organizate kriminale e terroriste, pikë”, i tha Krasniqi.

Në fund me 11 vota për komunat tjera e me 9 vota pa dy të Vetëvendosjes për Kllokotin, KQZ-ja mes tensionesh certifikoi rezultatin për balotazhin e mbajtur me 9 nëntor.

Ndërkohë, ndonëse PDK-ja votoi certifikimin për kryetar komunash nga raundi i dytë, Arianit Elshani, paralajmëroi se do të ankohen në institucione tjera, pas refuzimit të kërkesës për rivotim në Mitrovicë të Jugut që iu bë nga PZAP-ja fillimisht e pastaj edhe nga Supremja.

“Me gjithë ato pamje që kemi parë gjatë procesit të numërimit në qendrën komunale të numërimit por edhe me raste të evidentuara në ditën e votimit nëpër vendvotime,  fletëvotimet kanë pasur një kod tjetër nga ai i vendvotimit. Konsideroj që i tërë ky proces i zhvilluar në komunën e Mitrovicës, është cenuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor, ne edhe si parti politike kemi ngritur shqetësimet tona . Duke marrë parasysh dy vendime të organeve të drejtësisë ne si parti dhe si anëtar të KQZ i bindemi të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë, prandaj do të votojmë për miratimin e këtyre rezultateve përfundimtare, por kjo  nuk do të thotë që ky proces nuk do të ankimohet tutje në gjykata , në institucione të tjera. Edhe njëherë kërkoj nga sekretariati e nga anëtarët e KQZ-së që në raport edhe me procesin e ri që po vije të jemi të kujdesshëm në raport me fletëvotimet që pranohen dhe me procesin e votimit e numërimit. Kjo në sy të opinionit publik është lënduar rëndë ky proces”, tha ai.

Alban Krasniqi nga LVV-ja i reagoi duke thënë se me rëndësi është që as nuk paska pasur tren e as lëvizje të fletëvotimeve. Ai tha se do të sigurohen që gabimet teknike të mos përsëriten.

Ndërkohë, më herët në fillim të mbledhjes Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin zgjedhor lokal të 12 tetorit për Kuvende Komunale, 40 ditë pas mbajtjes së këtij procesi. Por, rezultati nuk u certifikua edhe për Istogun, meqë siç bëri të ditur kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, Gjykata Supreme e ka prishur një vendim të PZAP-së duke ia kthyer për rivendosje këtij organi vendimmarrës.