Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Abdixhiku në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë.
“Te çështja e kandidatit për kryeministër, ndonëse e hapa si temë, zgjati shkurt. Kryesia e LDK-së e konsideroi se përderisa më ka si kryetar partie, atëherë më nominoi si kandidat për kryeministër. Në këtë rast, mora edhe autorizimin për ta bërë renditjen e kandidatëve për deputete, që të mos ketë pakënaqësi se kush është më përpara në listë e kush prapa. Diskutuam edhe për bashkëpunimet në zgjedhjet nacionale.
Abdixhiku njoftoi se Kryesia e partisë vendosi që LDK-ja të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë ai theksoi se një pjesë e listës së kësaj partie mbetet e hapur, përfshirë edhe për Nismën e Fatmir Limajt.
“LDK-ja do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hap për partitë e tjera përfshirë edhe Limajn me deputetët e tij. Për këtë çështje do të zhvillohen bisedime në ditët në vijim por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë e tjera që janë Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e Pacollit. Pra ne jemi të hapur edhe për partitë edhe për individët. Pra, individë që duan të garojnë për LDK-në, për ngritjen e LDK-së”, deklaroi kreu i LDK-së.




