Ngjarja u vlerësua si një ndër forumet më të rëndësishme ekonomike në rajon, duke theksuar potencialin e Ballkanit Perëndimor si hapësirë strategjike për investime dhe bashkëpunim afatgjatë.

Forumi, i zhvilluar në Brezovicë, vend me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike, mblodhi përfaqësues të lartë nga institucionet evropiane dhe rajonale, përfshirë EUROCHAMBRES, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) nga Sarajeva, si dhe delegacione nga odat ekonomike dhe komuniteti i biznesit të gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Tema qendrore “Ballkani si Mundësi” solli në fokus nevojën për avancimin e integrimit ekonomik rajonal, forcimin e atraktivitetit për investime dhe orientimin drejt një rritjeje më konkurruese.

Pjesëmarrësit theksuan se, në kontekstin e afrimit me Bashkimin Evropian, rajoni gjendet në një moment vendimtar për të shtuar bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe partneritetet ndërkufitare.

Kontribut të rëndësishëm në sesionet e diskutimit dha edhe Banka Qendrore e Kosovës, e cila prezantoi nismat e modernizimit të sistemit financiar dhe angazhimin për krijimin e një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës dhe të diversifikuar për rajonin.

“Ky forum ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për të promovuar Kosovën dhe rajonin. Brezovica është dëshmuar si një platformë unike për të diskutuar potencialin real dhe hapat konkretë të Ballkanit,” deklaroi Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.