Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas urimit të bërë nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Spiropali thekson se falë kontributit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara Amerikane, populli shqiptar e ka ruajtur lirinë dhe pavarësinë e tij.
Ajo kujton se në momentet më të vështira historike, si në afirmimin e të drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar dhe në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë shqiptarëve.
“Etërit tanë themelues, të cilëve u detyrohemi sot lirinë dhe pavarësinë tonë, e dinin se në orët vendimtare të kombit tonë, Amerika po qëndronte në krahun tonë. Ne nuk e harrojmë dhe nuk do ta harrojmë se në orët më kritike të historisë sonë – në afirmimin e të drejtës së Shqipërisë për të ekzistuar dhe në Pavarësinë e Kosovës – populli amerikan luajti një rol vendimtar. Në ato momente, distanca midis dy vendeve tona u zhduk dhe fatet tona u ndërthurën në mënyrë të pakthyeshme. Kjo miqësi sot na bashkon në altarin e vlerave që ndajmë. Kombet tona janë të lidhura nga një besim i thellë në liri, demokraci, paqe, siguri dhe dinjitet njerëzor”, shkruan Spiropali.
Sipas ministres, sot marrëdhënia midis dy vendeve bazohet në vlera të përbashkëta, liri, demokraci, paqe, siguri dhe dinjitet njerëzor. Spiropali shton se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së është strategjik.
“Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rolin e Shqipërisë në NATO, përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët. Ndërsa festojmë Ditën e Pavarësisë, e bëjmë këtë me mirënjohje në zemrat tona dhe me një vendosmëri të qartë: të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë strategjik, të zgjerojmë lidhjet tona ekonomike dhe të forcojmë edhe më shumë miqësinë e qëndrueshme dhe të palëkundur midis popujve tanë. Faleminderit për urimet tuaja të ngrohta dhe për partneritetin e palëkundur dhe besnik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundon Spiropali.




