Në ditën më të rëndësishme të Kombit Shqiptar, që përmbledh katër ngjarje historike të rrugëtimit drejt Lirisë dhe Pavarësisë, që nga Kruja e Skënderbeut, Vlora e Ismail Qemailit, ditëlindja e heroit Adem Jashari dhe dalja publike e UÇK-së, në qytetin e Prizrenit ka ardhur në bronz, shtatorja e heroit kombëtar të tri luftërave Tahir Sinanit.
“Është ky akt sot një tregues për të treguar rrugën se nëpër çfarë sakrificash ka ardhur liria dhe me çfarë sakrificash ende duhet mbrojtur nga të gjitha armiqtë e mundshëm në të ardhmen. Pikërisht për këtë ka ardhur edhe Tahir Sinani sot në Prizren, në këtë vend ku do të ketë vazhdimisht vizitor, për t’u njohur me veprën heroizmin dhe rënien e tij” , ka thënë gjeneral Kudusi Lame.
Shtatorja e Tahir Sinanit vjen në Prizren me iniciativën e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së
“Në Prizrenin tonë të bukur ne kemi festë. Në festën e flamurit në mesin tonë pas një mungese të gjatë na vjen një i derdhur në bronz shembulli i njeriut atdhetar e luftëtar, shembulli si duhet atdheu, se si sakrifikohet e vdiqët për të, na vjen heroi ynë Tahir Sinani. Le të jetë kjo ditë e madhe një ditë reflektimi dhe të mendojmë shumë për gjakun e derdhur për liri” , ka thënë Selim Krasniqi, inicues i projektit.
“Zbulimi i kësaj shtatore nuk është vetëm një akt ceremonial është dëshmi falënderim kujtese e përjetshme dhe amanet për brezat që vinë. Ne si organizatë të dala nga lufta e UÇK-së sot rishikojmë betimin se do të mbrojmë dhe nderojmë gjithmonë gjakun e dëshmorëve idealet për të cilat Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sakrifikuan”, ka thënë Isa Berisha, Kryetar i OVL UÇK.
“Uroj që bashkërisht të rrugëtojmë në amanetin e dëshmorëve i cili amanet është jetikë për të gjithë që një ditë edhe ne të realizojmë të drejtën tonë historike të një populli dhe një komb i bashkuar”, tha Xhavit Jashari gjithashtu nga OVL UÇK
Rrezart Sinani, i biri i heroit, duke falënderuar iniciatorët e kësaj vepre për babanë e tij, tha se shtatorja e babait të tij do të qëndrojë përjetësisht krahas figurave heroike të UÇK-së.
“Gjaku i dëshmorëve është gur themel i të ardhmes dhe s’duhet të ndalojmë deri në ditën që çdo trevë shqiptare të bashkohet në një flamur dhe në një qëllim”, ka thënë ai.
Manifestimi në nderim të figurës së Tahir Sinanit, në kuadër të festës së flamurit është mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit të Prizrenit, i cili nënvizoi se, shtatorja e Tahir Sinanit e vendosur në Parkun e qytetit, do tu tregojë brezave të rinj sakrificën që bëri populli ynë deri tek liria.




