Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mbajtur punëtorinë e radhës me përfaqësues të sektorit financiar, në kuadër të nismës “WE Finance Code”, e cila synon të përmirësojë qasjen në financa për gratë ndërmarrëse dhe të avancojë përfshirjen financiare në vend përmes nismave dhe produkteve konkrete financiare.
Gjatë punëtorisë, zyrtarët e institucioneve financiare diskutuan mbi ecurinë dhe kërkesat kryesore të projektit, përfshirë mbledhjen dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, forcimin e transparencës dhe zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë.
Kjo punëtori vjen si vazhdimësi e angazhimeve të BQK-së dhe sektorit financiar, të cilat u theksuan edhe në nivel rajonal gjatë forumit të “WE Finance Code”, mbajtur gjatë muajit tetor, në Herceg Novi, Mal i Zi.
Në këtë forum, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim me Shkollën e Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, morën pjesë rreth 20 përfaqësues nga Kosova, së bashku me institucione financiare nga gjithë Ballkani Perëndimor. Ngjarja shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e praktikave që promovojnë qasjen e grave në financa dhe zhvillimin e WMSMEs-ve në rajon.
“Përvojat dhe rekomandimet e ndara gjatë forumit rajonal kanë kontribuar drejtpërdrejt në orientimin e diskutimeve dhe fokuseve të punëtorisë së sotme, duke siguruar që nisma të ecë përpara në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe angazhimet rajonale. BQK mbetet e përkushtuar në zbatimin e nismave për të kontribuar një mjedis sa më gjithëpërfshirës që kontribuon në qasje në financa dhe zhvillim të qëndrueshëm”, njofton BQK.




