Ministria e Financave ende nuk ka realizuar transferimin e këtyre mjeteve në buxhetin komunal. Autoritetet e Komunës së Prishtinës sigurojnë qytetarët se do të njoftojnë menjëherë sapo fondet të alokohen zyrtarisht.
“Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024. Megjithatë, deri sot, më 02 dhjetor 2025, mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Në njoftim thuhet se në momentin që mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, qytetarët do të informohen menjëherë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove. Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.




