Vendet e BE-së kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për standardet minimale mbi mënyrën se si shtetet anëtare duhet të përcaktojnë dhe të ndëshkojnë veprat korruptive në Kodet e tyre Penale, njoftoi sot Këshilli i BE-së.
Projektligji i ri përfshin gjithashtu masa për parandalimin e korrupsionit dhe rregulla për hetime dhe ndjekje penale më efektive.
”Për herë të parë, legjislacionet e vendeve të BE-së do të përcaktojnë në mënyrë të unifikuar dhe në të gjitha sektorët se çfarë përbën korrupsion dhe si duhet ndëshkuar”, tha Këshilli i BE-së pas negociatave me Parlamentin Evropian.
Në të gjithë BE-në, ryshfeti në sektorin publik dhe privat, përvetësimi i pasurisë dhe pengimi i drejtësisë do të konsiderohen vepra penale korruptive.
Në të ardhmen do të ketë gjithashtu standarde të njëjta për sjelljen në detyrë të zyrtarëve publikë.
Po ashtu, rregullat e reja përcaktojnë si duhet të dënohen veprat e lidhura me korrupsionin në nivel kombëtar.
Autorët e veprave do të përballen me dënime me burg prej të paktën tre deri në pesë vjet, varësisht nga shkelja.
Do të ketë gjithashtu rregulla të unifikuara për rastet kur zyrtarët publikë të shpallur fajtorë për korrupsion humbasin vendin e punës.
Për të parandaluar krimin, çdo vend i BE-së do të krijojë një qendër kundër korrupsionit.
Shtetet anëtare do të regjistrojnë gjithashtu se cilat profesione dhe industri janë më të prekura nga korrupsioni.



