Diskutimet në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, mes të tjerash, kanë pasur në fokus marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ku u kërkua që të ketë më shumë balancim dhe të mos kërkohet përgjegjësi vetëm nga Kosova.

Vlerësimi për Ballkanin Perëndimor, si “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”, nxjerr në pah nevojën e angazhimit amerikan për t’u kundërvënë luftës hibride të Rusisë dhe Kinës, që rrit paqëndrueshmërinë në rajon. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë shihen si një problem nxitës i paqëndrueshmërisë rajonale.

Nga këndvështrimi i njohësve të zhvillimeve politike, Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk e kanë në agjendë Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që përmbushja e obligimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri.

“As Kosova as Serbia nuk janë të gatshme për ta bërë hapin përfundimtar drejt arritjes së marrëveshjes finale, por duke njohur mënyrën se si operon administrata Trump, atëherë do të ishte e parashikueshme sa i përket ashpërsisë së imponimit të zgjidhjes. Prandaj është e domosdoshme që të punohet pakrahasimisht më tepër në mënyrë që të plotësohen të gjitha detyrat që i ka Kosova, sepse as Kosova as Serbia nuk mund të kenë përkrahjen amerikane nëse nuk i respektojnë marrëveshjet që kanë pranuar deri më tani. Thirrja që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe që Serbisë t’i shtohet presioni për të ndalur fushatën e çnjohjeve dhe pengesave, si dhe për të dalë nga orbita ruse, nxjerr në pah se Rusia përmes Serbisë është faktori kyç për destabilizimin e rajonit,” tha Artan Muhaxheri, njohës i zhvillimeve politike.

“Zgjidhje e domosdoshme në këtë rast do të ishte anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike si përgjigja më e mirë për sigurinë rajonale dhe, në anën tjetër, po mendoj që kemi të bëjmë me një reflektim shumë të rëndësishëm të instancave më të rëndësishme botërore sa i përket qasjes agresive dhe aktiviteteve kërcënuese që kanë ardhur në vazhdimësi nga Serbia kundrejt Kosovës,” tha Arben Fetoshi, drejtor në Institutin Octopus.

Pavarësisht se përgjegjësia e plotë për tensione dhe dobësi të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor nuk i vishet askujt, u vlerësua se Serbia duhet ta pranojë rendin perëndimor për rajonin. Nga aspekti i ekspertëve të menaxhimit të konflikteve, u nënvizua se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të jenë më të vendosura në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjidhja e vetme racionale për Serbinë, e cila nuk duhet lejuar të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.

“Ajo çfarë reflekton diskutimi në komitetin e jashtëm të Kongresit amerikan është përgjigja më e mirë ndaj një periudhe të gjatë shqetësuese të tolerimit dhe ledhatimit të Vuçiqit për hir të stabilokracisë në rajon, dhe mendojmë që bëhet fjalë për një ndërgjegjësim që kërkon një qasje të re të presionit mbi burimin e kërcënimit për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, që është Beogradi zyrtar,” tha Fetoshi.

Në këtë kontekst, diskutimet e Komitetit për Punë të Jashtme akuzuan administratën amerikane për qëndrim të zhbalancuar në raportin Kosovë-Serbi, duke nxjerrë në pah nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO si zgjidhje e ngërçit, që tejkalon rëndësinë e anëtarësimit në OKB.