Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka udhëtuar sot në Vjenë për të marrë pjesë në takimin ministror të formatit “Friends of the Western Balkans”, me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
Takimi, i cili mbahet më 4 dhjetor 2025, ka në fokus ruajtjen e çështjes së Ballkanit Perëndimor në agjendën politike të Bashkimit Evropian, vlerësimin e gjendjes aktuale të procesit të zgjerimit, si dhe diskutimin e mundësive të reja për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe të sigurisë. Pjesëmarrësit po ashtu pritet të shkëmbejnë qëndrime në lidhje me zbatimin e plotë të mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, njofton MPJD.
Sipas njoftimit, në këtë takim Gërvalla do të riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrim të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe për një bashkëpunim rajonal që respekton sovranitetin dhe barazinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me vlerat dhe orientimin euroatlantik të rajonit.



