Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së mërkurë janë raportuar dy raste të vdekjeve të dyshimta në Fushë Kosovë dhe Rahovec, të cilat po hetohen për të sqaruar rrethanat e ndodhjes.
Rasti i parë është raportuar në rrugën “Kadri Minushi” në Fushë Kosovë, rreth orës 16:11, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Ratkoc të Rahovecit, mes orës 10:30–11:00, ku një grua është sjellë pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Edhe këtu mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen, ndërsa trupi është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejshëm.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e të dy vdekjeve.




