Stacioni i autobusëve, i vendosur pranë hyrjes së shkollës ”Emin Duraku”, po shkakton vështirësi në qarkullimin rrugor dhe sigurinë e nxënësve. Sipas drejtuesve të shkollës, në oraret e ngarkesës, fluksi i autobusëve dhe automjeteve bllokon hyrjen dhe daljen e fëmijëve, duke krijuar një situatë të ndjeshme për komunitetin shkollor.
Drejtori i institucionit, mësimdhënësit dhe prindërit kërkojnë ndërhyrje urgjente për të siguruar një ambient më të sigurt, ndërsa autoritetet komunale deklarojnë se po shqyrtojnë opsione për përmirësimin e qarkullimit në këtë zonë.
Stacioni i autobusëve i vendosur pikërisht në hyrje të Shkollës së mesme të ulët “Emin Duraku” po shkakton vështirësi në qarkullimin rrugor dhe po konsiderohet rrezik për nxënësit. Çdo ditë, sidomos në oraret e fillimit dhe përfundimit të mësimit, zona përreth shkollës mbushet me autobusë, vetura dhe këmbësorë.
Drejtori I kësaj shkolle, Visar Osmani, thotë se së fundmi është larguar linja për Podujevë, por kjo sipas tij nuk mjafton.
“Pozicioni aktual i stacionit është problematik. Nxënësit tanë, veçanërisht ata të klasave të ulëta, rrezikohen çdo ditë. Ne kemi kërkuar disa herë që stacioni të zhvendoset në një zonë më të sigurt. Linjat regjionale kanë mbetur edhe pse është largu linja për Podujeve, ne po dëshirojmë që të shtyhet tutje ky stacion ashtu siç ka qenë para luftës se është e papranueshme në hyrje të shkollës me pas stacion, komplet po na pengon e çrregullon”, tha Osmani.
Përveç drejtuesve të shkollës, shqetësime shprehin edhe mësimdhënësit, të cilët përballen çdo ditë me këtë situatë.
“Siguria brenda rrethojave të shkollës është në nivel, por jashtë rrethojave jo edhe aq, si kujdestar dite gjithmonë i shoqëroj fëmijët deri tek stacioni, për shkak të trafikut por edhe me i shmang konfliktet mes nxënësve. Bufeja në shkollë funksionin vetëm që nxënësit mos të kenë nevojë të dalin jashtë shkollës, kështu janë të sigurt prindërit edhe ne”, tha Florim Shabani, arsimtar.
Edhe prindërit kërkojnë zgjidhje urgjente, duke thënë se siguria e fëmijëve duhet të jetë prioritet.
”Siguria brenda shkollës është në nivel, po jashtë shkollës nuk jemi shumë të sigurt për fëmijë, sepse trafiku deri në shkollë është shumë i ngarkuar, ka dyndje të fëmijëve të moshave të ndryshme e kështu po lindin probleme, kish me qenë mirë polica edhe institucionet mu sillë pak më shumë këndej”, tha Shpresa Berisha, prind.
Nga ana tjetër, Komuna thotë se në atë zonë është larguar stacioni për Podujevë, që e sipas tyre, e ka lehtësuar qarkullimin, por për momentin nuk ka zgjidhje tjetër.
“Ne po tentojmë me gjete zgjidhje, dhe do ta bëjmë po për momentin vetëm këtë linje kemi arrite me zhbllokua”, tha Lulzim Fushtica, drejtor i Emergjencave në Komunën e Prishtinës.
Deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, prindërit dhe stafi i shkollës kërkojnë masa të përkohshme, në mënyrë që hyrja e nxënësve në shkollë të jetë më e sigurt.




