Policia në Uellsin e Ri Jugor (NSW) në Australi njoftoi se të shtënat në Sydney, në të cilat u vranë të paktën 12 persona, u shpallën zyrtarisht një sulm terrorist dhe se shënjestra ishte komuniteti hebre.
Kryeministri i NSW-së, Chris Minns, konfirmoi se gjithsej 12 persona kishin vdekur, përfshirë një sulmues.
“Ky akt frikacak dhune të tmerrshme është tronditës dhe thellësisht shqetësues dhe është realizimi i frikës sonë më të keqe kur bëhet fjalë për terrorizmin në Sydney”, tha Minns.
“Sulmi u krye qëllimisht në ditën e parë të Hanukkah”
Ai deklaroi se sulmi u krye qëllimisht në ditën e parë të Hanukkah, kur komuniteti hebre duhej ta festonte festën në paqe dhe gëzim me familjet e tyre.

“Ajo që duhej të kishte qenë një mbrëmje paqeje dhe festimesh është shndërruar në një sulm të tmerrshëm dhe të lig”, tha kryeministri, duke shtuar se do të pasonte një “përgjigje masive dhe gjithëpërfshirëse e policisë dhe sigurisë”.
Komisioneri i Policisë së NSW, Mal Lenyon, tha se 29 persona ishin dërguar në spitale në të gjithë Sydney-n, përfshirë dy oficerë policie. Sipas tij, gjendja e të plagosurve ndryshon, por lëndimet janë serioze.
A kishte ndonjë sulmues të tretë në plazh?
“Të shtënat janë shpallur zyrtarisht një incident terrorist”, tha Lanyon, duke shtuar se policia po heton mundësinë që një sulmues i tretë të ketë qenë i përfshirë në sulm.
Menjëherë pas të shtënave, policia zbuloi një makinë që përmbante disa “pajisje shpërthyese të improvizuara”. Një njësi speciale për asgjësimin e bombave është në vendngjarje dhe hetimi është ende duke vazhduar.
Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW) lëshoi një deklaratë të re pas të shtënave, duke thënë se dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në të shtënat.
Një burrë, që besohet të jetë sulmuesi, është vrarë, ndërsa sulmuesi tjetër i dyshuar është në gjendje kritike.
Gjatë hetimit, policia njoftoi se në tokë u gjetën “një numër i madh sendesh të dyshimta”, të cilat aktualisht po shqyrtohen nga ekipe të specializuara policore.




