Mbështetësi i ligjit amerikan për Ballkanin Perëndimor të miratuar këtë javë, kongresmeni demokrat nga Masaçusets, William Keating, tha se miratimi i atij ligji me propozimin e tij në të dyja dhomat e Kongresit Amerikan është provë se “Ballkani është ende në radarin amerikan”.
Të dyja dhomat e Kongresit Amerikan miratuan Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), pjesë të të cilit i referohen Ballkanit Perëndimor dhe Serbisë, dhe ai thotë, ndër të tjera, se gjendja e demokracisë në Serbi është shqetësuese dhe se kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve janë të padrejta.
Në pjesën e Ligjit të quajtur Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, “akuzat nga zyrtarët serbë se demonstruesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqëria civile po përpiqen të destabilizojnë qeverinë” u vlerësuan gjithashtu si shqetësuese.
“Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika është ende e interesuar në Ballkanin Perëndimor. Unë kam vite që merrem me atë rajon dhe gjithmonë e kam konsideruar atë një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë qeveri amerikane ka njerëz që e shohin Ballkanin si përparësi”, tha Keating në një intervistë me Belgrade Insider.
Kongresmeni demokrat e paraqiti propozimin e tij në shtator dhe ai u përfshi së fundmi në projektligjin e mbrojtjes kombëtare për të siguruar miratimin e tij, shpjegoi ai.
Meqenëse ai vjen nga Partia Demokratike, e cila tani është në opozitë, një veprim i tillë kërkonte mbështetjen e kongresmenëve republikanë.
Ligji ende duhet të nënshkruhet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që të hyjë në fuqi.
emat që trajton ligji për Ballkanin Perëndimor – nga normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, parregullsitë në Serbi në zgjedhjet e vitit 2023 të vërejtura nga organizatat ndërkombëtare, problemet me demokracinë, mbështetja për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE – nuk janë tema në krye të axhendës ballkanike të administratës Trump, shkruan Insider.
Keating nuk iu përgjigj qartë pyetjes nëse miratimi i ligjit mund të ndikojë në një farë mënyre në ndryshimin e axhendës së administratës aktuale amerikane, por tha se sigurisht që ka interes për Ballkanin.
“Përfshirja e projektligjit tim në projektligjin më të gjerë të mbrojtjes është një tjetër përpjekje për të treguar se interesi ynë në rajon nuk është vetëm çështje e një administrate apo e një presidenti”, tha Keating.




