“Te pjesa e të hyrave kemi pasur projeksionin prej Qeverisë në shumën 1 miliard e 897 milionë euro. Deri në ditën e fundit të këtij viti, do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përbën 135 milionë euro më shumë sesa viti paraprak dhe tejkalon projeksionin prej 70 milionë euro”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu, në konferencën e fundvitit.

Si raste kryesore në luftën kundër krimit dhe mbrojtjes së shoqërisë, Dogana e Kosovës ka veçuar 2 raste të sekuestrimit të kanabisit në sasi prej 397 kilogramësh; një tjetër rast të eksplozivit prej 300 kg; municioneve me 1950 copë; 963 mijë euro të pa deklaruara dhe 61 raste të tjera së bashku me policinë kufitare. Llugaliu ka njoftuar se Kosova vazhdon ta mbajë rekordin e shpejtësisë për zhdoganim në Ballkanin Perëndimor.

“Edhe sivjet sikurse vite me radhë, Dogana e Kosovës mirëmban kohën më të mirë sa i përket zhdoganimit në Ballkanin Perëndimor. Siç e shohim, linja e portokalltë është ajo e Kosovës. Kjo matje bëhet nga sekretariati i CEFTA-s dhe ne vazhdojmë të jemi vendi rekord. Kjo është shumë me rëndësi për shkurtimin e shpenzimeve të bizneseve të prodhuesve tonë por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj”, ka thënë ai.