Në Kosovë të dielën më 28 dhjetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë. Këto zgjedhje prodhuan ndryshime të dukshme në raportet e forcave politike në vend.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbi 99 për qind të vendvotimeve të rregullta të numëruara, LVV ka marrë 49.30 për qind të votave, apo 429,979 vota, duke u renditur bindshëm në vendin e parë.
Lëvizja Vetëvendosje është renditur si partia e parë, dhe ka fituar plot në 24 komuna, 7 prej të cilave janë më të mëdhatë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këto shtatë komuna ka përfunduar numërimi dhe rezultatet janë si vijon:
Në Prishtinë, LVV ka marrë 52,94 %, LDK 21,98% PDK 19,17% dhe AAK 3,66%.
Në Prizren, LVV ka siguruar 51,07% e ndjekur nga PDK me 21,80%, LDK me 8,73% dhe AAK me 2,93%
Në Pejë, LVV ka marrë 48,27%, LDK 21,67%, AAK ka 13,55% dhe PDK ka 10,28% të votave.
Në Mitrovicë, LVV ka siguruar 65,08%, PDK 27,13%, LDK 4,62% dhe AAK 0,81%.
Në Gjilan, LVV ka marrë 62,09%, LDK 16,47% , PDK ka 15,33% dhe AAK 2.08%,
Në Ferizaj, LVV ka siguruar 60,18%, PDK 24,37%, LDK 9,32% dhe AAK 2,31% të votave.
Në Gjakovë, LVV ka marrë 53,88%, AAK 22,97%, LDK 9,75% dhe PDK 9,58% të votave.
Fitorja në këto komuna konsiderohet me rëndësi të veçantë politike, pasi ato përfaqësojnë pjesën më të madhe të elektoratit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në balancat e përgjithshme të pushtetit në nivel qendror.
Rezultatet aktuale janë preliminare dhe nuk përfshijnë ende votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, si dhe votimin nga diaspora.




