Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një postim në Facebook, duke shprehur respekt të thellë për burrat dhe gratë që, siç tha ajo, u ngritën në kohën kur liria ishte vetëm një ëndërr.
Osmani theksoi se veteranët e UÇK-së u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në periudhën më të errët për vendin. Sipas saj, ata janë dëshmia e qartë se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë.
“Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore”, ka shkruar presidentja.
Në fund të mesazhit, Osmani ka nderuar dëshmorët e kombit dhe veteranët e UÇK-së, duke theksuar se lavdia për dëshmorët është e përjetshme, ndërsa nderimi për veteranët duhet të jetë i përhershëm.




