Një pjesë e opozitës parlamentare proevropiane kërkon që Serbia të distancohet më qartë nga ndikimi politik dhe ekonomik rus, përmes iniciativave që lidhen me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish.
Në rastin e NIS-it, opozita akuzon presidentin Aleksandar Vuçiq se po mbron interesat ruse, ndërsa ka dorëzuar në Kuvend një projektligj që parasheh pezullimin e të drejtave pronësore të Gazprom-it, vendosjen e administrimit të detyruar dhe shpalljen e një tenderi ndërkombëtar.
“Regjimi i Vuçiqit ka hequr dorë nga rruga evropiane dhe nuk guxon të marrë vendime nga frika e Moskës. Kjo është pasojë e marrëveshjeve të fshehta politike, të sigurisë dhe financiare, që e mbajnë Serbinë në margjinat e Evropës”, tha Dragan Gjillas, kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e pushtetit e hedhin poshtë këtë propozim.
“Qëllimi i opozitës është të krijojë konflikt me Federatën Ruse, por kjo nuk do t’u dalë, sepse në krye të Serbisë është Aleksandar Vuçiq., tha Biljana Pantiq Pilja, deputete e Partisë Përparimtare Serbe.
Ndryshe, opozita ka nisur edhe procedurën për shfuqizimin e marrëveshjes për Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish, duke përmendur mungesën e transparencës dhe shqetësime politike e të sigurisë. Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian kërkohet një orientim më i qartë i politikës së jashtme të Serbisë dhe ulje e varësisë nga ndikimi rus, me paralajmërimin se Moska e përdor energjinë si mjet presioni politik.




