Sipas aktakuzës, i pandehuri B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe objektit paralel në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998–1999, ka vepruar me dashje duke shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë konfliktit të armatosur.

Prokuroria vlerëson se ekziston dyshim i bazuar mirë se B.T. dhe bashkëpunëtorët e tij kanë maltretuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në forma çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, si dhe përmes shqelmave e grushteve deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dhunë psikike.

Aktakuza thekson se të burgosurit janë lënë pa ushqim për ditë të tëra, janë kanosur seriozisht për jetën e tyre dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit çnjerëzor, kanë pësuar gjendje të vazhdueshme frike dhe ankthi.

Këto veprime, sipas Prokurorisë Speciale, përbëjnë shkelje të rënda të ligjeve vendore, zakoneve të luftës, si dhe të Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve të tyre Shtesë.