atsh
Tridhjetë e dy anëtarë të forcave kubane të sigurisë u vranë gjatë sulmeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës, njoftoi sot qeveria e Kubës.
SHBA-ja goditi objektiva në Venezuelë të shtunën, duke kapur presidentin Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, dhe i nxorri ata jashtë vendit.
Sipas qeverisë kubane, oficerët kubanë ishin dërguar në vendin e Amerikës së Jugut me kërkesë të autoriteteve venezueliane.
“Besnikë ndaj përgjegjësive të tyre për sigurinë dhe mbrojtjen, bashkatdhetarët tanë e përmbushën detyrën me dinjitet dhe heroizëm dhe ranë, pas rezistencës së ashpër, në përleshje të drejtpërdrejtë me sulmuesit ose si pasojë e bombardimeve të objekteve”, thuhet në deklaratë.
Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel shpalli dy ditë zi kombëtare.
Maduro ndodhet tani në një qendër paraburgimi në Nju Jork, ku pritet të dalë në gjyq për akuza që përfshijnë komplot për narco-terrorizëm dhe komplot për importim kokaine.
I pyetur nëse Kuba mund të jetë e radhës pas operacionit dramatik ushtarak amerikan në Karakas, presidenti amerikan Donald Trump pranoi vdekjen e kubanëve.
“E dini, shumë kubanë u vranë dje. E dini këtë, shumë kubanë u vranë”, u tha ai gazetarëve në bordin e “Air Force One”.
“Pati shumë vdekje nga pala tjetër, asnjë vdekje nga pala jonë. Por, shumë kubanë u vranë dje duke u përpjekur ta mbronin atë”, tha ai, duke iu referuar Maduros.




