Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar dje në Reçak dy familje që u goditën rëndë nga Masakra e Reçakut, duke theksuar se historia e tyre mbetet një plagë e hapur, por edhe një dëshmi e qëndresës dhe së vërtetës së pamohueshme.
Gjatë vizitës, presidentja u takua me familjen Kamberi dhe familjen Ismajli, të cilat humbën anëtarë të familjes në njërën nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
“Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në Masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova qëndron mbi këtë sakrificë, ndërsa e vërteta për Masakrën e Reçakut mbetet e përhershme dhe themel i shtetit të Kosovës.
“Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjtë që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi. Kosova qëndron mbi këtë sakrificë.E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë”, ka shkruar Osmani.




