Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se po e përcjellë me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.
“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ne mbrojmë”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.
PDK thotë se standardi i tyre është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet tutje në komunikatë.
Në fund, Partia Demokratike e Kosovës thotë se rikonfirmon përkushtimin e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve.



