Ministria e Punëve të Brendshme ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Ministrisë.
Sipas njoftimit, të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.
MPB ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo përfshirjes në aktivitete të paligjshme nga cilido zyrtar i saj, duke nënvizuar se çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe standardet e integritetit institucional do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë.
Ministria ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në çdo nivel institucional, duke garantuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin.
“Në këtë drejtim, MPB do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet relevante për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”, thuhet në njoftim.




