Tregu i automjeteve në Shqipëri gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga diversitet i gjerë dhe rritje e qëndrueshme, duke reflektuar preferencat, nevojat dhe kërkesat në rritje të qytetarëve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), automjetet e regjistruara gjatë vitit 2025 vijnë kryesisht nga disa prej shteteve më të fuqishme prodhuese në botë. Në krye të listës renditet Republika e Koresë, me 21,4% të mjeteve të regjistruara, e ndjekur nga Gjermania me 15,6% dhe Italia me 15,4%.
Një peshë të konsiderueshme në treg kanë edhe automjetet me origjinë nga Kina, me 9,1%, Zvicra me 8,4%, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përfaqësojnë 8% të totalit të mjeteve të regjistruara.
Sipas DPSHTRR-së, këto të dhëna tregojnë një treg automjetesh në rritje, të orientuar drejt një game të larmishme zgjedhjesh, ku kombinohen cilësia, teknologjia dhe efikasiteti. Diversiteti i origjinës së mjeteve pasqyron gjithashtu tendencat e reja të konsumatorëve dhe hapjen ndaj teknologjive bashkëkohore në sektorin e transportit rrugor.
DPSHTRR thekson se zhvillimi i qëndrueshëm i tregut të automjeteve shoqërohet paralelisht me modernizimin e shërbimeve të transportit rrugor dhe digjitalizimin e proceseve, në funksion të rritjes së sigurisë, transparencës dhe lehtësimit të shërbimeve për qytetarët.




