Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit, si dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.
Në përvjetorin e 20-të të ndarjes së Rugovës nga jeta, Kurti vlerësoi se në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës.
Ai përmendi se Rugova ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. “Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova”, ka shkruar Kurti në “Facebook’.
Poa shtu Kurti ka se në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989.
“Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton. Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës”, theksoi Kurti.
Sipas tij, institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.
“Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë. Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj”, shkroi Kurti.




