Tajvani i kërkoi Kinës që të ndalë “veprimet e njëanshme shkatërruese” pasi më shumë se 100 avionë luftarakë kinezë dhe nëntë luftanije u detektuan në zonat përreth ishullit vetëqeverisës.
Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij, të cilin, një ditë do ta rimarrë, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës. Viteve të fundit, Kina ka rritur presionin diplomatik dhe ushtarak ndaj Tajvanit.
Më 18 shtator, Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se numri i detektuar i avionëve luftarakë në 24 orët e fundit paraqet një rekord të regjistruar së fundi, ndërkaq Pekini ende nuk ka komentuar për këtë situatë.
“Në mes të mëngjesit të 17 dhe 18 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ka detektuar në total 103 avionë luftarakë kinezë, shifër rekorde e kohëve të fundit. Këto fluturake paraqesin sfida të mëdha për sigurinë në mbarë Ngushticën e Tajvanit dhe në rajon”, u tha në deklaratë.
“Ngacmimi i vazhdueshëm ushtarak i Pekinit shumë lehtë mund të çojë në rritje të tensioneve dhe të përkeqësojë sigurinë rajonale”, tha ministria e cila i bëri thirrje Kinës që “menjëherë të ndalë veprime të tilla të njëanshme shkatërruese”.
Nga numri i përgjithshëm i avionëve luftarakë të detektuar, 40 prej tyre kanë kaluar vijën në Ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin nga Kina, dhe kanë hyrë në pjesën jugperëndimore dhe juglindore të zonës identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, thanë autoritetet në Taipei.