Është përmbyllur programi pesëvjeçar “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve”, program ky i Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Suedisë, implementuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe për Bujqësi, për ruajtjen e pylltarisë në Kosovë.
Eva Palatova që foli në emër të zyrës së BE-së tha se Bashkimi Evropian prioritizion ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve, jo vetëm në shtetet anëtare, mirëpo në tërë Evropën dhe në nivel global.
Ajo tha se është e impresionuar nga bukuria e pyjeve të Kosovës.
“Gjatë qëndrimit tim në Kosovë jam impresionuar nga pyjet e Kosovës, nga bukuria e tyre nga pasuritë që i kanë dhe këtu sikurse çdo kund tjetër, janë më shumë se peizazhe, janë burime të reziliencës, caqe të biodiversitetit”, tha ajo.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se pyjet e Kosovës janë aset strategjik kombëtar.
“Sot po shënojmë përmbylljen e projektit i cili përforcon menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, siç e dini të gjithë, pyjet e Kosovës janë aset strategjik kombëtar, ato kanë shumë rëndësi për jetën në zona rurale, për biodiversitetin dhe për reziliencën klimatike, dhe gjithashtu kanë rëndësi për tranzicionin e gjelbër dhe për mundësitë afatgjata ekonomike”, tha diplomati suedez.
Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të MBPZHR-së, Imri Demelezi, tha se ky program pesëvjeçar përfaqëson një shembull të suksesshëm, sipas tij, të bashkëpunimit ndërkombëtar në funksion të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe përmirësimit të jetesës në zona rurale.
“Marrë parasysh përqindjen e madhe të mbulimit nga pyjet që përbën një pasuri të madhe mjedisore dhe ekonomike, por jo vetëm , sigurisht edhe shëndetësore, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për menaxhimin e tyre të qëndrueshëm e të përgjegjshëm. Gjatë viteve të fundit përmes forcimit të bazës ligjore dhe rritjes së investimeve sektori pyjor ka shënuar përparim të dukshëm”, tha ai.
Në këtë ngjarje u tha se për pesë vite me radhë pylltaria ka qenë fokus i intervenimit të përbashkët që ka pasur synimin e krijimit të kushteve për një menaxhim të qëndrueshëm të pylltarisë, ruajtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e jetës në zona rurale.



