Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot Kartën e Bordit të Paqes në Davos, duke përfaqësuar Kosovën si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen. Ceremonia u mbajt në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Presidentja Vjosa Osmani në Facebook ka shkruar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, veçanërisht ato që udhëhiqen nga aleati strategjik i Kosovës, SHBA, forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.
Ajo bëri të ditur se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për miratimin përfundimtar nga përfaqësuesit e popullit.
“Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, u shpreh Osmani.
Presidentja Osmani ka falenderuar Presidentin Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që sië ka shkruar ajo, ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. “Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë”, ka shkruar Osmani.
Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Trump foli edhe për situatën në Gaza, duke deklaruar se aty ka nisur ideja për krijimin e Bordit të Paqes. Ai përmendi se më herët gjatë këtij viti është arritur një marrëveshje paqeje që përfshinte shkëmbimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, ndërsa shtoi se lufta “po shkon vërtet drejt fundit”.
Trump e përshkroi konfliktin aktual si të përbërë nga “zjarre të vogla” që, sipas tij, mund të shuhen lehtë, duke shtuar se Hamasi “ndoshta do” të përmbushë premtimet e tij për çarmatim, përndryshe “do të jetë fundi i tyre”.
Presidenti amerikan theksoi se, pas formimit të Bordit të Paqes, do të bashkëpunojë ngushtë me Kombet e Bashkuara, pavarësisht kritikave të mëparshme ndaj këtij institucioni. Ai vlerësoi se OKB-ja ka “potencial të jashtëzakonshëm” dhe se bashkimi i përpjekjeve të Bordit të Paqes me OKB-në përbën “diçka shumë unike për botën” dhe “hapin e parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme”.
Trump e cilësoi Bordin e Paqes si një organ me potencial për të qenë “një nga më pasojoret e krijuara ndonjëherë”, duke shtuar se është “i nderuar” të shërbejë si kryetar i tij.




