Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të MPB-së, Genc Metaj, morën pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 21 kadetëve që përfunduan me sukses trajnimin profesional për zjarrfikës.
Trajnimi, i cili zgjati 20 javë dhe ishte i ndarë në 9 module, u ofroi kadetëve njohuri të avancuara dhe aftësi konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në situata emergjente, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe ndërhyrje profesionale për mbrojtjen e jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit, njoftom zyra për informim e MPB-së.
Qëllimi kryesor i këtij programi ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve dhe përgatitja e tyre për përballje me sfidat gjithnjë e më komplekse të sigurisë bashkëkohore.
Bëhet e ditur se me rastin e diplomimit, ministri Sveçla falënderoi instruktorët dhe trajnerët për kontributin e tyre në formimin profesional të kadetëve, si dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur realizimin e këtij trajnimi.
Ministria e Punëve të Brendshme ritheksoi përkushtimin për të vazhduar investimet në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të shërbimit të zjarrfikësve, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe të vendit.




